TV-reportazh nga terreni fshati DEBËLLDEH, Ndarja e Kosoves
TV-Reportazh nga Terreni!
Në këtë TV-reportazh do të mund të ndiqni deklaratat kontradiktore të përfaqësuesve të partive politike lidhur me Ndarjen e Kosovës.
Më 23 shkurt të vitit 2001, Beogradi dhe Shkupi bëjnë një marrëveshje për demarkacionin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë, me ç'rast, rreth 2500/ha, territor i Kosovës i falet Maqedonisë.
Këto toka, janë prona private të bujqëve Shqiptarë, të fshatit DEBËLLDEH te komunës së Vitisë.
Më 23 maj të vitit 2002, Kuvendi i Kosovës miraton një rezolute për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, të cilën rezolutë me pas, ish-kryeadministratori i atëhershëm i regjimit të UNMIK-ut, Mihail Shtajner, e pati shfuqizuar, përmes një vendimi ekzekutiv.
Shfuçizimi i kësaj rezolute nuk mbaron me Shtajnerin. Më 5 prill të vitit 2007, rezoluta shfuqizohet për të dytën herë nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, (me përjashtim të deputetit Boshnjak Numan BALIQ) të cilët e votuan Pakon e Ahtisaarit. Kjo Pako në aneksin e VIII-të të saj që iu dedikohet çështjeve të sigurisë, në nenin e 3-të për kufirin, në pikën 3.2 thotë:
""3.2. Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001""
Përfaqësuesit e partive politike në Kosovë: LDK (Vehbi MIFTARI-zëdhënës), PDK (Jakup KRASNIQI-sekretar i përgjithshëm i partisë) dhe LDD (Lulzim ZENELI-zëdhënës), në fillim të intervistës shprehën qëndrimin e tyre të 'pa lëkundshëm' se qëndrojnë prapa rezolutës së vitit 2001, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, për pacenueshmërinë e Integritetit Territorial të Kosovës, por kur i pyetëm, pse e keni votuar Pakon e Ahtisaarit meqë pakoja legjitimon marrëveshjen mes Shkupit dhe Beogradit, njeri thoshte "Nuk jam i sigurt nëse Pakoja e Ahtisaarit i njeh marrëveshjet e bëra në kurriz të Shqiptarëve" (dmth. nuk e ka lexuar Pakon), tjetri thoshte: "E njeh dhe s'e njeh" etj. etj..!
Do të pyesni sigurisht, "a thua pse nuk i kanë intervsituar AAK-në dhe ORA-n?". Sepse ORA nuk kishte 'kohë' të na pergjigjej në këtë intervistë, sidomos kur morrën vesh se cila do të jetë tema, me arsyetimin se "Jemi në Ecje..". Ndërkaq, përfaqësuesit e AAK-së, të shtuneve nuk po punojshin: "Valla sot osht pushim, nuk punojnë ata kërkush, të gjithë e kanë pushim, se osht e shtune" - kështu na tha njëri prej punëtorëve të sigurimit të AAK-së.
Në këtë reportazh do të mund të mësoni edhe për qëndrimet e banorëve të fshatit DEBËLLDEH, si dhe qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Me politikanët të cilët nuk mund ta mbajnë një qëndrim, së paku brenda një interviste, dhe disa prej të cilëve ngrisin dorën për votë pro një dokumenti të cilin nuk e kanë shfletuar fare, siç është rasti me Pakon e Ahtisaarit, Kosova jo që mund të ndahet, por ajo në një të ardhme të afërt edhe mund të gllabërohet në tërësi nga Serbia shoveniste.
Për të dalur nga ky plan gllabërues, i përgatitur nga Serbia e i toleruar si nga disa prej fuqive të mëdha botërore ashtu edhe nga disa vende europiane, plan ky të cilit i është dhënë legjitimiteti vendor si nga Grupi Negociator i Kosovës ashtu edhe nga Kuvendi i Kosovës, zgjidhja është tjetër dhe ndryshe: organizimi i popullit për aktivitete protestuese e demonstrata për vetëvendosje deri në shkëputje të Kosovës nga Serbia dhe për vetëvendosje deri në largimin e UNMIK-ut nga Kosova.
Ky reportazh eshte i pergatitur nga aktivistet e Levizjes VETEVENDOSJE! dhe eshte realizuar ne gusht te vitit 2007.
www.vetevendosje.org
Author: LevizjaVETEVENDOSJE
Length: 09:59
Views: 8825
Tags: Kosova Kosovo Lëvizja reportage TV VETËVENDOSJE! www.vetevendosje.org
|